Njoftim për Media mbi Situatën pas Sulmit Terrorist në Kanalin Kryesor të NPH “Ibër Lepenc” SH.A.

Më 29 nëntor 2024, rreth orës 19:00, një sulm terrorist shkaktoi dëmtimin e rëndë të akuaduktit që ndodhet në fshatin Varagë, Komuna e Zubin Potokut. Menjëherë pas marrjes së lajmit, menaxhmenti i ndërmarrjes, së bashku me ekipet përgjegjëse, ndërmorën veprime urgjente për vlerësimin dhe identifikimin e mundësive më të mira teknike për mënjanimin e krizës.

Si pasojë e këtij sulmi terrorist, u ndërpre rrjedha e ujit nga diga e Pridvoricës, duke shkaktuar ndërprerje në furnizimin me ujë të papërpunuar për:

• KRU Mitrovica

• KRU Mitrovica-Vushtrri

• KRU Prishtina

• KRU Prishtina-Drenas

• Feronikelin

Përjashtim nga ndërprerja bëri vetëm Termocentrali Kosova B, për të cilin u sigurua furnizimi i pandërprerë falë menaxhimit të rezervave në kanalin kryesor.

Reagimi i menjëhershëm ishte thelbësor për të shmangur një krizë më të thellë. Pas përfundimit të riparimeve emergjente, në orët e para të mëngjesit të 30 nëntorit 2024, nisi normalizimi i furnizimit me ujë. Është e rëndësishme të theksohet se për Termocentralin Kosova B furnizimi nuk u ndërpre në asnjë moment.

Pas punimeve të pandërprera, furnizimi me ujë u rikthye drejt normalitetit në mbrëmjen e 30 nëntorit 2024, duke siguruar vazhdimësinë e shërbimeve për të gjithë konsumatorët e përmendur.

Në një përpjekje të palodhur që zgjati gjashtë orë, ekipet e punëtorëve të NPH Ibër-Lepenc dhe kontraktorit të projektit të Bankës Botërore, kompanisë FAMIS CO, arritën të rikthejnë furnizimin në orën 02:00, megjithëse me vetëm 75% të kapacitetit normal. Procesi i rimbushjes së kanalit kryesor nisi menjëherë për të rikthyer furnizimin e qëndrueshëm për KRU-të dhe Feronikelin.

Brenda 24 orëve pas sulmit terrorist, furnizimi për të gjithë ujësjellësit rajonalë dhe Feronikelin u normalizua plotësisht.

Rëndësia e Kanalit Kryesor për Republikën e Kosovës

Kanali kryesor i Ibër Lepencit është burimi kryesor i furnizimit me ujë për disa nga konsumatorët më të rëndësishëm në Republikën e Kosovës. Kapacitetet mesatare të furnizimit me ujë të papërpunuar janë si më poshtë:

• KRU Mitrovica: 650 l/s

• KRU Mitrovica-Vushtrri: 240 l/s

• KRU Prishtina: 600 l/s

• KRU Prishtina-Drenas: 121 l/s

• Feronikeli: 80 l/s

• Termocentrali Kosova B: 350 l/s

Në total, kanali furnizon mesatarisht 2000 litra ujë për sekondë, që përkthehet në 7.2 milionë litra në orë.

Ky sulm përfaqëson një akt të qëllimshëm për të penguar zhvillimin normal dhe të qëndrueshëm të jetës në Kosovë. Populli dhe institucionet e Republikës së Kosovës mbeten të vendosur për të siguruar mirëqenien e qytetarëve, duke përballuar sfida të tilla me profesionalizëm dhe unitet.

NPH Ibër-Lepenc është duke punuar intensivisht për zgjidhjen përfundimtare dhe rehabilitimin e akuaduktit të dëmtuar nga ky akt terrorist.

Post a comment

Your email address will not be published.