Kryeministri i Republikës së Kosovës z.Albin Kurti dhe Ministrja e Ekonomisë znj.Artane Rizvanolli vizituan ndërmarrjen hidroekonomike “Iber-Lepenc” sh.a.
Kryeministri i Republikës së Kosovës dhe Ministrja e Ekonomisë znj. Artane Rizvanolli kanë vizituar ndërmarrjen hidroekonomike “Iber Lepenc” sh.a. ku janë mirëpritur nga kryeshefi i ndërmarrjes z.Faruk Mujka, Bordi i Drejtorëve dhe menaxhmenti i ndërmarrjes.
Në fillim të takimit Kryeministri i Republikës së Kosovës z. Kurti ka falenderuar stafin e ndërmarrjes për sukseset e arritura në vitet e fundit, e në veçanti për intervenimin dhe rifunksionalizimin e shpejtë të kanalit kryesor pas sulmit terrorist në Varragë të Zubin Potokut. Gjatë takimit janë diskutuar sukseset dhe sfidat e ndërmarrjes NPH “Iber Lepenc”sh.a.
Kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes z.Faruk Mujka, me mirënjohje të thellë e ka falenderuar Kryeministrin e Republikës së Kosovës z.Albin Kurti për vizitën, marrë parasysh se është hera e parë që një kryeministër viziton NPH “Iber Lepenc”sh.a. Ai ka folur edhe për sulmin terrorist të 29 Nëntorit në kanalin e Ibër Lepencit. Kryeshefi ka deklaruar se falë angazhimit, gatishmërisë, vullnetit dhe reagimit të shpejtë të punëtorëve të ndërmarrjes dhe akterëve tjerë të përfshirë, është arritur që termocentralet të mos ndalen për asnjë moment dhe furnizimi i qytetarëve me ujë ishte relativisht i mirë përgjatë ditëve të para dhe i plotë përgjatë ditëve në vijim. Njëkohësisht kryeshefi ekzekutiv z.Mujka, informoi se sanimet e dëmit në akuaduktin e dëmtuar nga sulmi terrorist do të përfundojnë brenda këtij muaji dhe gjithcka do të kthehet në normalitet.