Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, siç edhe jeni informuar përmes mediumeve të ndryshme në vendin tonë, me datë 29.11.2024 rreth orës 19:00, ka ndodhur një shpërthim i planifikuar në kanalin e Ibër Lepencit, që është thelbësorë për furnizimin me ujë të Kosovës dhe termocentraleve në Kosovë, duke privuar kështu një pjesë të konsiderueshme të qytetarëve të vendit të mbesin pa ujë dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në infrastrukturën jetike të vendit tonë. Policia e Kosovës ka identifikuar dhjetëra persona si të dyshuar për këtë sulm terrorist dhe ka bërë arrestimin e tyre. Punëtorët e ndërmarrjes Iber Lepenc janë ende duke punuar pandërprerë që nga nata kritike me kapacitet të plotë, në mënyrë që dëmet e shkaktuara edhe pse shumë të mëdha, t’i sanojnë sa më parë që të jetë e mundur dhe qytetarët të furnizohen me ujë. Lidhur me këtë ngjarje kanë reaguar krerët e shtetit, KFOR-i, ndërkombëtarët, duke përfshirë SHBA dhe BE-në, të cilët kanë dënuar ashpër këtë sulm kriminal dhe kanë bërë thirrje njëzëri që përgjegjësit për këtë akt të vihen sa më parë para drejtësisë.