Më 29 janar 2025, Ministrja e Ekonomisë znj. Artane Rizvanolli dhe Kryeshefi Ekzekutiv i NPH “Ibër-Lepenc” sh.a., z. Faruk Mujka, inauguruan ndërtimin e rezervuarit të ujit me kapacitet 30,000 m³ në fshatin Mihaliq, Komuna e Vushtrrisë. Ky investim strategjik pjesë e projektit “Siguria e Ujit dhe Mbrojtja e Kanalit”, synon të sigurojë furnizim të qëndrueshëm me ujë për KEK-un dhe KRU Prishtina, duke përmirësuar infrastrukturën dhe qëndrueshmërinë e sistemit hidroekonomik të vendit.
Në ceremoninë e kësaj ngjarjeje të rëndësishme të pranishëm ishin: Ministrja Artane Rizvanolli, Kryeshefi Ekzekutiv i KEK-ut Bekir Gërguri, Kryeshefi i Ekzkutiv i KRU Prishtina Arsim Fetahu dhe anëtarët e Bordit të Drejtorëve të ndërmarrjes hidroekonomike “Ibër Lepenc “sh.a.
Ministrja e Ekonomisë znj.Artane Rizvanolli, në fjalën e saj theksoi se: “Rezervuari që po e inaugurojmë sot ka një kapacitet prej 30.000 m³ ujë dhe ofron rezerva për 24 orë për termocentralin e KEK-ut ose për furnizim me ujë për KRU Prishtina, në rast të ndonjë aksidenti apo incidenti tjetër që shpresoj të mos e kemi kurrë. Sidoqoftë falë punës suaj ne mund të qëndrojmë më të qetë me këtë rezervuar të ri që e kemi dhe hapësirë që na ipet për të manovruar me infrastrukturën kritike”, ka deklaruar ajo.
Kryeshefi Ekzekutiv i NPH “Iber Lepenci” sh.a. z.Faruk Mujka falënderoi Ministrinë e Ekonomisë dhe veçanërisht Ministren Rizvanolli për mbështetjen e dhënë për ndërmarrjen “Ibër Lepenc” dhe theksoi se rëndësia e këtij rezervuari është edhe më e dukshme pas sulmit terrorist në infrastrukturën tonë në fshatin Varagë me 29 Nëntor të vitit të kaluar kur u rrezikua skajshmërisht funksionimi i KEK-ut dhe furnizimi i qytetarëve me energji elektrike dhe ujë të pijshëm në gjithë Republikën e Kosovës. Vetëm mobilizimi i shpejtë i gjithë akterëve relevantë, vullneti i fortë dhe veprimi i menjëhershëm evituan më të keqen, të cilën na e deshën armiqtë e Republikës së Kosovës. Rezervuari në fjalë është hapi i parë dhe do të vazhdohet edhe me të tjera projekte në rritjen e sigurisë dhe vazhdimësisë së furnizimit me ujë nga kanali i Ibër – Lepencit. Rezervuari ka kapacitet prej 30.000 m³ ujë. I njëjti shtrihet në gjatësi prej 800 m’, me gjerësi prej 12 m’ dhe thellësi 4 m’. Ky rezervuar mund të furnizoj 24 orë pandërprerë KEK-un apo KRU Prishtina në rast të çfarëdo problemi përgjatë kanalit ose në rast të reshjeve të shumta dhe krijimit të turbullirave në kanal atëherë KRU Prishtina do të furnizohet nga ky rezervuar. Në fund, kryeshefi ekzekutiv z.Mujka potencoi se: “synimi kryesor i Ibër Lepencit gjithsesi mbetet rritja e kualitetit, sasisë së shërbimeve ndaj konsumatorëve të vetë dhe duke e ditur rëndësinë që kjo ka në aspektin ekonomik por edhe atë social për Republikën e Kosovës do të bëj çmos që investimet e saja të shkojnë gjithmonë në këtë drejtim”.